Lejimi i fëmijëve në moshë të hershme që të shikojnë tableta dhe TV mund të dëmtojë arritjet e tyre akademike dhe mirëqenien emocionale më vonë, sipas një studimi të ri.
Studiuesit zbuluan se koha e gjatë para ekranit gjatë foshnjërisë lidhej me funksionimin më të dobët ekzekutiv kur fëmija ishte 9 vjeç, sipas studimit të botuar të hënën në revistën JAMA Pediatrics, raportoi CNN-i të martën.
Aftësitë e funksionimit ekzekutiv janë procese mendore që “na mundësojnë të planifikojmë, të përqendrojmë vëmendjen, të kujtojmë udhëzimet dhe të ekzekutojmë me sukses detyrat e shumta”, sipas Qendrës së Universitetit të Harvardit për Fëmijët në Zhvillim.
Sipas studimit, këto aftësi të funksionimit ekzekutiv janë të rëndësishme për njohjen e nivelit më të lartë, si rregullimi emocional, të mësuarit, arritjet akademike dhe shëndeti mendor.
“Ato ndikojnë në suksesin tonë social, akademik, profesional dhe në mënyrën se si ne kujdesemi për veten”, ka deklaruar Dr. Erika Chiappini, asistent profesor i psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore.
“Megjithëse këto procese njohëse zhvillohen natyrshëm nga foshnjëria deri në moshën madhore, ato gjithashtu ndikohen nga përvojat që kemi dhe kur i kemi ato në zhvillimin tonë”, ka shtuar Chiappini, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
“Rezultatet mbështesin rekomandimet nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, e cila dekurajon kohën para ekranit para moshës prej 18 muajsh, me përjashtim të bisedës me video”, ka thënë Dr. Joyce Harrison, profesor i asociuar i psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins. As Harrison nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.