Eden Hazard ka thyer heshtjen në një intervistë për mediumin belg “RTBF”, ku ka treguar se synimi i tij është të qëndrojë në Real Madrid edhe sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht se ka regjistruar vetëm shtatë paraqitje këtë sezon në të gjitha garat, qëllimi i ish-reprezentuesit belg është të qëndrojë deri në fund të kontratës.
Kontrata e tij skadon në verën e vitit të ardhshëm.
“Do të doja të qëndroja. E kam thënë gjithmonë kështu. Shpresoj të luaj për të treguar se ende mund ta bëj. Njerëzit kanë dyshime, është normale. E kuptoj shumë mirë. Por për mua, unë jam ende këtu vitin e ardhshëm. Asnjëherë nuk e di, por një transferim nuk është në plan”, ka thënë Hazard, duke përjashtuar kështu largimin e tij nga “Santiago Bernabeu”.
“E vetmja gjë për të cilën mendoj është të luaj. Prandaj as që e mendoj largimin. Thellë brenda vetes mendoj: ‘Mund të kontribuoj diçka’. Nëse kontribuoj pak, njerëzit do të më besojnë përsëri. Ata mund të thonë me vete se kanë bërë një gabim duke më lënë jashtë. Më duhen vetëm minuta në këmbë. Nuk po them që pas tre muajsh pa luajtur do të shënoj pesë gola. Jo, më duhet kohë dhe te Real Madrid… atje nuk është koha, por e di se çfarë mund të kontribuoj akoma”, shtoi Hazard.
32-vjeçari tutje zbuloi se nuk flet me trajnerin e skuadrës, Carlo Ancelottin.
“Ka respekt mes nesh. Por, nuk do të them që flasim me njëri-tjetrin, sepse nuk flasim me njëri-tjetrin. Por, respekt do të ketë gjithmonë. Edhe nëse ai nuk më bën të luaj nesër. .. Duhet të kem respekt për një njeri si Carlo Ancelotti. Në atë që përfaqëson për futbollin, atë që ka bërë në karrierën e tij. Nuk ka asnjë problem”, tha ish-futbollisti i Chelseat.
Eden Hazard është pjesë e Real Madridit që nga viti 2019. Ai deri tash ka regjistruar në total 73 paraqitje, duke shënuar shtatë gola dhe shtuar 11 asistime.