Ylli brazilian synon ta mbyllë karrierën te klubi parisien, pavarësisht paqartësive të Messi e Mbappe
Nejmar dëshiron që të përfundojë karrierën e tij te PSG, pavarësisht se e ardhmja e disa prej yjeve të ekipit është e paqartë. Ylli brazilian u bë pjesë e skuadrës parisiene në 2017 dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e tij, duke fituar 4 tituj kampionë. Por muaji i fundit ka qenë problematik për 31-vjeçarin, që pësoi një dëmtim që do ta lejë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit.
Për më tepër që PSG u eliminua nga Bajern Mynihu në Ligën e Kampioneve. Me verën që po afron, drejtuesit parisienë kanë në plan që të bëjnë ndryshime të mëdha. Paqartësi ka në lidhje me Leo Mesin dhe Kilian Mbapen, me dy yjet që edhe mund të zgjedhin të largohen.
Sipas “The Athletic”, Nejmar është i përkushtuar te klubi parisien. Drejtuesit janë të gatshëm që nëse sulmuesi zgjedh të ikë, të paguajnë për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëaneshme. Por Nejmar nuk e sheh të ardhmen larg “Park de Prans”, ndërsa kontrata i përfundon në verën e 2027.
Ylli brazilian ka bërë 173 paraqitje në të gjitha ndeshjet me PSG dhe ka realizuar 118 gola.