Arbër Zaimi
Para dhjetë-pesëmbëdhjetë vitesh, shpesh në debate televizive po edhe në shtypin e kohës, teksa mbroja qëndrimin se Kosova dhe Shqipëria duhet të investojnë intensivisht në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe duhet të afrohen sa më shpejt, debatuesit kundërshtarë thoshin se Kosovën e mbron Amerika dhe Shqipëria është në NATO, kështu që s’ka nevojë për armatim e ushtri se na mbrojnë ata.
Sot të njëjtët që asokohe mbronin opsionin e “fjetjes gjumë” kanë kaluar në fazë paniku e frike. Në rrjetet e tyre sociale e në mediat ku ende dalin gjëmon piskama “obobo iku amerikani”. Tjerrin nonsens sërish.
E para: Amerikani (dhe asnjë superfuqi) nuk ikën aq lehtë nga askund dhe nuk do të ikë aq lehtë as nga Ukraina. Ndër rastet e rralla kur një superfuqi është tërhequr pashpjegueshëm, papritur dhe pa luftë, ka qenë ai i Gorbachevit, por Trumpi nuk përngjan me të, paçka se thonë që ia ka mësyrë Nobelit për paqe. Deklaratat e sotme të Trumpit për Zelenskin janë pjesë e presionit që ai të pranojë kërkesën amerikane për marrjen nën kontroll të sektorit minerar të metaleve të çmueshme në Ukrainë – kërkesë të cilën Zelenski e refuzoi para do ditësh jo në mënyrë kategorike, por në mënyrë relative e diplomatike duke kërkuar kushte e garanci të shtuara në këmbim. Presionet e refuzimet herë nga njëra e herë nga tjetra palë, janë pjesë e një strategjie negociuese që e kemi parë tashmë të ushtrohet edhe mes Amerikës dhe fqinjëve të saj të afërt, por jo gjithnjë janë materialisht aq të ashpra sa fjalët.
E dyta: Edhe nëse një superfuqi lëshon pe dikund, kjo nuk do të thotë se lëshon pe gjithkund. Përkundrazi, logjika e pazarit mes superfuqive është se nëse njëra lëshon pe dikund, pas asaj radhën e ka tjetra për të lëshuar pe. Psh. kur Rusia u tërhoq prej vendosjes së kokave nukleare në Kubë, u nënshkrua atypëraty edhe marrëveshja ku lëshonte pe pala tjetër dhe Amerika largoi disa koka nukleare prej Turqisë (marrëveshje që u mbajt sekret për njëzet e pesë vite). Pra paniku “obobo lëshoi pe dikund Amerika, tani do na lëshojë dhe ne” (gjë që ende faktikisht nuk ka ndodhur) është jo fort logjik e jo i bazuar në historinë e marrëdhënies mes fuqive.
E treta: Detyra e një superfuqie është të ofrojë siguri dhe parashikueshmëri në kampin e saj. Mirëpo në momentin kur ndodhin ripërcaktime kufijsh të zonave të influencës, si pasojë e ndryshimit të raporteve mes përmasave të superfuqive, kjo gjë ndërpritet. Lojërat e shahut kalojnë prej fazës middlegame në fazën endgame, e aty paparashikueshmëria bëhet aset. Si bëhesh i paparashikueshëm për kundërshtarin? Duke vepruar irracionalisht me të tutë, fjala vjen duke e falur damën për t’iu afruar matit. Në teori ndërkombëtare e ka sjellë këtë gambit rrezikant Machiavelli, që shkruante “ndonjëherë është e mençur të dukesh i çmendur”. Shembuj historikë? Ja psh. kur ishte një luftë e stërzgjatur që rrezikonte të zgjerohej edhe rajonalisht e të përfshinte superfuqitë? Vietnami. Asokohe presidenti amerikan Nixoni kërkonte prej bashkëpunëtorëve e diplomatëve të vet të përhapnin sa më bindshëm në sallone ndërkombëtare rrëfimin se Nixoni është impulsiv, i paparashikueshëm, me probleme psikologjike e mendore. Lideri i palës tjetër, Krushchevi si duket zbatonte të njëjtën taktikë, dilte në evente publike e mediatike i pirë tej mase, përhapeshin histori se ka degjeneruar mendërisht. Kjo lloj taktike në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si “madman theory” apo “teoria e të çmendurit” dhe zakonisht zbatohet kur fërkimet janë të forta, rreziku i madh e palët të balancuara. Rezultatet nuk janë automatikisht të garantuara, por edhe mospërdorimi i taktikës nuk ndihmon për garantim rezultatesh. Një gjë dihet qysh në kohë të Sun Tzu-së, po nuk u luajt ky lloj shahu, atëherë luhet lufta. Pra ky shah është parandaluesi i vetëm i luftës.
E katërta: Nevoja për të investuar për kapacitete mbrojtëse ka qenë gjithnjë e gjithmonë do të jetë. Aftësia për t’u mbrojtur e asgjëson oreksin e pushtuesit. Armët blihen e prodhohen edhe për të mos u përdorur, e sidomos për të mos u përdorur. Këtë gjë duhet ta kuptojnë jo vetëm vendet tona, po edhe Europa. Amerika sot Europën po e trajton siç ka trajtuar Europa Ballkanin për tre dekada rresht. Pra po i thotë: Ti nuk di ku i ke kufijtë e tu dhe ti nuk ke arritur kriteret demokratike. Paradoksalisht kjo sjellje e ashpër është ofrim i mundësisë që Europa të tregojë pjekuri shtetformuese, së pari duke treguar ku i ka kufijtë e saj (duke u unifikuar njëmend e duke hequr dorë nga interesat e vegjël shtetërorë, po edhe nga paradhomat e pritjeve të gjata për vendet ballkanike, pse jo edhe duke u hapur për Ukrainën, Turqinë dhe vendet e Kaukazit), së dyti duke i mbrojtur me ushtri të vetën ato kufij dhe ato vlera me të cilat mburret. Nëse mburret me ato vlera sociale e demokratike, duhet t’i mbrojë vetë, nuk mburresh dot me vlerat që t’i mbron tjetri.
E pesta: Duhet mendjekthjelltësi, punë e investime për të qenë gati. Paniku është i kotë. S’i ndihmon askujt, me përjashtim të atyre që duan koalicione për të vjedhur, por thonë se koalicionimi duhet për hatër të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit. A thua se trojet tona kur ka qenë rreziku, nuk i paska mbrojtur gjithmonë ky popull e ky komb, por na i kanë mbrojtur koalicionet qeveritare…!