Nga fushat e ndryshme të artit në mërgatë, teatri zakonisht është ndër gjinitë që akoma nuk zë vendin e merituar. Por të shikosh një premierë, siç ishte ajo që u shfaq mbrëmë në Kloten të Cyrihut, me emërtimin: “Në emër të atit” me tekstin e shkrimtarit Ridvan Dibra, e me regji të Sulejman Rushitit, është diçka për tu dëshiruar dhe t`u përsëritur më shpesh.
Ajo që pamë mbrëmë, ndonëse vetëm me një aktor, falë talentit dhe lojës së tij përplot inspirim e kreativitet, bëri që për më pak se një ore publikut të “ecë” ndër shekuj për të ndi e përjetuar traumat dhe mizoritë që sjellë lufta, pavarësisht periudhat kohore.
Protagonist i shfaqjes ishte aktori tetovar, Daut Ahmeti nga fshati Përshefcë i cili mesa mësuam ka krijuar edhe një kompani teatrore në Zvicër, gjatë interpretimit të rolit të Andreas në monodramë, nxori në pah një pjesë shumë të përjetuar e të realizuar mirë, falë edhe një skenografie të thjeshtë e me efekte filmike, por shumë të kapshme për publikun.
Me këtë rast po japim edhe fjalën e e regjisorit Sulejman Rushiti, lidhur me realizimin skenik të kësaj drame me premisa tragjike:
Shfaqja është një bashkëudhëtim me Andrean dhe me të gjithë të dëbuarit, të pagjeturit e të mbijetuarit nga luftërat. Përmes rrëfimit të Andreas, futemi thellë në shpirtrat e lënduar e të gjithë atyre që kanë pësuar nga luftërat në të gjitha kohërat. Andrea rrëfen e rrëfehet, rijeton e ripërjeton jetën e tij.
Na fton të bëhemi bashkëudhëtarë e bashkëmendimtarë të tij. Tenton të shfajësohet para nesh duke na nxitur edhe neve të gërmojmë thellë në shtresat tona të ndërgjegjes e të përballemi me dilemat tona morale e etike.
Rijetojmë e ripërjetojmë bashkë me Andrean: dilemat, pikëpyetjet, dashurinë, mallin, mallëngjimin, urrejtjen, guximin, etj. Në emër të atit është një elegji për shpirtrat e humbur, si për ata të zhdukurit, ashtu edhe për ata të “shpëtuarit”.
Ndërkaq Daut Ahmeti, që luajti rolin kryesor dhe të vetmin në këtë shfaqje thotë se: “Nga këndvështrimi profesional, ky proces i ndërtimit të karakterit të Andreas ka qenë si proces gërmimi në thellësitë më të mëdha të shpirtit për të dialoguar me veten mbi të gjitha dilemat etike e morale. Jam i lumtur që rikthmin tim në skenë e bëra me Andrean.
Jam i lumtur që pikërisht me këtë shfaqje, fillon rrugëtimin edhe Teatri Arti-na-on me seli këtu në Zvicër. Ky teatër do të jetë një vendtakim i kulturave të ndryshme.”, thotë Ahmeti.
Në fund të kësaj shfaqje pata kënaqësinë që protagonistit Daut Ahmeti ti dhuroj librin tim “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”.
/prointegra.ch/