Mbrëmë gjatë natës pranë stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar disa shpërthime.
Veton Elshani nga Stacioni i Policisë së Kosovës për veriun, ka thënë se me shumë gjasa bëhet fjalë për hedhje të shok-bombave.
Sipas tij nga këto shpërthime nuk ka të lënduar por se është dëmtuar një veturë e Policisë.
Elshani ka thënë se janë duke e hetuar rastin.
Lidhur me këto shpërthime Policia ka dhënë detaje edhe në raportin e saj 24 – orësh.
Sipas raportit brenda rrethojës së stacionit policor në Mitrovicë të Veriut të premten në orën 01:38 janë hedhur dy shok-bomba.
“Raportohet se janë hedhur dy shok bomba brenda rrethojës së stacionit policor Mitrovicë Veri. Nuk raportohet për dëme materiale apo lëndime të personave. Njësitë relevante policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
Në të njëjtën kohë brenda rrethojës së stacionit policor në Zveçan thuhet se janë hedhur dy shok-bomba të tjera.
“Zveçan, 16.06.2023 rreth orës 01:38- Raportohet se te stacioni policor në Zveçan janë hedhur dy shok-bomba. Dyshohet se shok-bombat janë hedhur nga një automjet i cili ishte në lëvizje dhe është larguar menjëherë nga vendi. Njësitë relevante policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
© KOHA