Ditë e shtunë, 17 dhjetor 1994.
Paraditja e kësaj dite nuk jepte përshtypjen se do të ndodh diçka e jashtëzakonshme, diçka që do të mbetet në histori.
Në Tv Art ishte ditë e zakonshme fundjave e mbushur përplot me zhvillime politike të kohës.
Pasdite dhe në orët e mbrëmjes gjithçka ndryshoi. Nisën të ndjehen tensionet, nervozizmi shfaqej në ajër. Filluan që në hapësirat e Tv Art të vijnë njerëz që nuk i shihnim shpesh – profesorë, veprimtarë, njerëz të zakonshëm.
Në mbamendje më ka mbetur Kryeredaktori im, tashmë i ndjeri Ramadan Sinani, i cili shpeshherë e tërhiqte perden e zyrës për të parë lëvizjet jashtë objektit.
Nuk më bënte përshtypje as edhe sorrollatja e shpeshtë e një “marice” të milicisë që përshkronte Rrugën “146” mbi Teqe.
Miku dhe Redaktori im në Tv Art, poashtu tashmë e ndjeri, Muharrem Idrizi, për të qetësuar situatën më pëshpëriti në vesh…”Mos u mërzit, sonte do ta bëjmë historinë”.
Gjithçka u zhvillua në konfidencë të rreptë… Pronari i Tv Art, Artan Skenderi dhe Muharrem Idrizi u drejtuan në konakun e Haxhi Bahri Ganiut – në aktin e themelimit të UT-së.
Pritje ankthi në atë të shtunë të 17 dhjetorit 1994, por edhe zhgënjimi se përse nuk na u lejua transmetimi në televizion i këtij akti historik – mbase për shkak të pjesës së dytë në selinë partiake të PPD-së apo për shkak të sigurisë.
S`kishte gjë më të tmerrshme për një gazetar të ri në moshë se kur sheh pronarin dhe Kryeredaktorin e medias ku punon, Artan Skenderin dhe Ramadan Sinanin, me pranga në duar që nxirren me urrejtje nga hapësirat e Tv Art.
Inspektorët dhe policia e uniformuar e armatosur deri në dhëmbë bastisën deri në themel Tv Artin, por kasetat me xhirime ishin në duart e Profesoreshës Myqereme Rusi.
Aty isha dëshmitar i një sjelljeje vandale të policisë maqedonase. Nga radiolidhjet e tyre u dëgjua zëri “Jeste li utovarili stoku” (A e ngarkuat bagëtinë)…
Nata e errët e dhjetorit tashmë kishte mbuluar Tetovën. Në Rrrugën “Murat Baftjari”, në Reçicë të Vogël, Çarshi të Epërme e gjithandej, në fytyrat e njerëzve vërehej një gëzim i papërshkruar.
Të gjithë dinin diçka – të gjithë heshtnin. Secili qeraste secilin, kurse atmosfera në ato lokale të mjegulluara nga tymi i duhanit i ngjante një feste në heshtje – një festë triumfi i së mirës ndaj së keqes!
Gjithçka tjetër është histori…