Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani dhe Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas, sot prezantuan aspektet kryesore të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës Reformuese 2024-2027 për Maqedoninë e Veriut, shkruan Alsat.
Sipas Murtezanit, plani i rritjes do të mundësojë vizibilitet më të madh të partnerëve evropianë në proceset reformuese në vend dhe shikueshmëri më të madhe të përfitimeve konkrete të procesit të integrimit evropian, ndërsa tha se është mirë edhe për qytetarët. Murtezani shpjegoi se plani bazohet në tre shtylla kryesore.
“Ky plan ka tre shtylla të qarta dhe të rëndësishme: E para është qasja e lehtë në informacione të qarta dhe të sakta. Për këtë do të krijojmë platformë të specializuar online, e cila do të jetë pikë qendrore për monitorimin e të gjitha aktiviteteve, ecurisë dhe rezultateve të reformave. Kjo platformë do të sigurojë transparencë dhe do të mundësojë komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve dhe publikut. Elementi i dytë është përfshirja aktive e qytetarëve dhe të gjithë aktorëve relevantë në procesin e reformave. Nëpërmjet pjesëmarrjeve publike, diskutimeve dhe fushatave mediatike, do të mundësojmë komunikim të dyanshëm që do të inkurajojë dialogun e hapur dhe do të ndërtojë partneritet të fortë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Shtylla e tretë është njohja dhe qëndrueshmëria në komunikim nëpërmjet një identiteti të vetëm vizual”, tha Orhan Murtezani, Ministër i Çështjeve Evropiane./ Alsat.mk