Ndonëse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka deklaruar se votimi i interpelancës kundër Ilire Dautit si kryetare e Komisionit për politikë sociale nuk ka pasojë juridike, sipas Ilire Dautit, ajo u shkarkua në momentin që shumica në Kuvend votuan konkluzionin pas interpelancës. E ftuar në intervistë në Alsat, Dauti thotë se më mirë do të jepte dorëheqje, se sa të jetë e detyruar të punojë nën diktat të Levicës, e ta vendosë në rend dite propozim ligjin për branitellat.
“I bie që nëse Ilire Dauti dëshiron të qëndrojë kryetare e komisionit, është e obliguar që ta vendosë atë pikë në rend dite. Këtë unë kurrë nuk e bëj! Në qoftë se deri tani unë i kam shërbyer çështjes duke mbajtur pozitën e kryetares së komisionit dhe në këtë moment në qoftë se unë i shërbej çështjes që të mos jem unë arsyeja që ajo pikë të kalon, unë zgjedh të mos jem kryetare komisioni dhe assesi e nënshtruar”, deklaroi Ilire Dauti – Kryetare e komisionit.
Deputetët e VLEN-it nuk i votuan as interpelancën e as konkluzionin e interpelancës. Por kjo nuk mjafton për Dautin. Thotë se nëse janë të sinqertë, atëherë Gashi duhet të iniciojë shfuqizimin e konkluzionit.
“Ta provojmë VLEN-in a e kanë të sinqertë ndihmën dhe kërkesën që Ilire Dauti të jetë kryetare e komisionit? Unë jam e gatshme, por ama të thirrë Afrim Gashi seancën plenare, të vijnë deputetët dhe të votojnë pikërisht për shfuqizimin e atij konkluzion që atë ditë e kanë sjellur, dhe ta votojnë Ilire Dautin për kryetare të komisionit si deputete të lirë dhe të pandikuar, pa diktat dhe pa kushte të përcaktuara më herët, në atë formë siç ka vendosur”, tha Ilire Dauti – Kryetare e Komisionit.
Ndërkohë nga Lëvizja Znam dhe LSDM kërkuan nga Fronti Evropian që të propozojnë tjetër deputet për kryetar komisioni. Por në një takim me qytetarët, kreu i ASH-së Ziadin Sela, tha se nëse duhet të propozojnë tjetër kandidat për kryetar komisioni, ata përsëri do ta propozojnë Ilire Dautin. /Alsat.mk