Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për fillimin e një hetimi ndaj një 26-vjeçari të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër pasurisë, përfshirë grabitje dhe vjedhje të rënda.
Viktimat ishin gra ose vajza të mitura, të cilat i dyshuari i sulmonte në vende të ndryshme në Qendër dhe Aerodrom, duke u marrë çanta, shpinore, portofolë, bizhuteri, telefona dhe sende të tjera me vlerë.
Janë siguruar prova që krijojnë dyshime të arsyeshme se ai ka kryer të paktën pesë vepra të tilla penale, duke përfituar pasuri të paligjshme në vlerë prej rreth 100,000 denarë.
Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje, mundësi për të ndikuar në procesin hetimor dhe veçanërisht gjasa për përsëritjen e veprave të ngjashme penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.