Lista e kandidatëve për president për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit po zgjerohet. Të ditur zyrtarisht janë bërë edhe katër kandidatë të tjerë të cilët vijnë si propozime të partive politike. Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin aktual për punë të jashtme, Bujar Osmanin. Kandidaturën e Osmanit e kumtoi kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti.
“Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual.”- deklaroi Ali Ahmeti – Kryetar I BDI-së.
Për kandidate për president është vetparaqitur edhe deputetja Gordana Siljanovska Davkova. Ajo ka aplikuar në thirrjen publike të VMRO-DPMNE-së për kandidat për president, por e njëjta siç tha, pa dijen e saj janë mbledhur edhe 30 nënshkrime nga deputetët e po kësaj partie.
“Vendosa ose u kandidova për presidente e Republikës së Maqedonisë. Kuptohet, kandidatura fillimisht do të gjendet para konventës së VMRO-DPMNE-së për shkak se statuti i tyre ka procedurë specifike demokratike dhe atje nga 2/3 e të pranishmëve, me shumicë absolute, kandidatura duhet të kalojë me të vërtetë para KSHZ-së.”- tha Gordana Siljanovska Davkova – Deputete VMRO-DPMNE.
Përpos Siljanovskës, si kandidate tjetër femër, për herë të parë në histori të Maqedonisë, për president do të garojë edhe një kandidate nga komuniteti boshnjak. Bëhet fjalë për Mersiha Smailoviq, si kandidate e Lidhjes Demokratike Boshnjake. Smailoviq është juriste dhe pjesë e aktiviteteve civile. Ajo më tepër është aktive në fushën e përfaqësimit të të drejtave të njeriut.
Si kandidat tjetër për president, do të jetë edhe kryetari i Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski. Ai vjen si propozim i bordit ekzekutiv të partisë, sepse siç thonë, Dimitrievskin e konsiderojnë si mbrojtës i identitetit dhe babai I kombit.
“Bordi ekzekutiv I Lëvizjes Znam – për Maqedoninë tonë, solli vendim që t’i propozojë kongresit të parë, kandidat për president të Maqedonisë nga radhët e “Znam”, të jetë, z.Maksim Dimitrievski.”- tha Nikolla Memov – Zëdhënës “Lëvizja Znam”.
Sa i përket LSDM-së, ata me shumë mundësi përsëri do të garojnë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, i cili ka qenë më i propozuari nga degët komunale të partisë. Kështu, fushata presidenciale do t’i përballë përsëri kandidatët e raundit të dytë nga zgjedhjet e kaluara ku atëherë Pendarovski fitoi betejën përballë Siljanovskës. Kandidatë të tjerë për president janë Arben Taravari nga VLEN, Velo Markovski si i pavarur dhe Biljana Vankovska nga Levica. Që të gjithë kandidatët për president, do të duhet të mbledhin 10mijë nënshkrime nga qytetarët, duke filluar nga nesër e deri më 8 mars. Afati për dorëzimin e kandidaturave është deri më 19 mars.