Koordinatori global kundër korrupsionit i angazhuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew në një intervistë për emisionin “360gradë” në Alsat ka deklaruar se çfarëdo indikacioni për korrupsion në ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D pavarësisht angazhimit të kompanive amerikane duhet hetuar. Sipas tij, një hetim i tillë duhet të ketë edhe mbështetjen e Ambasadës amerikane në Shkup.
“Ambasada është mbështetës i fuqishëm i biznesit amerikan dhe aktiviteteve të tyre këtu. Është shumë e qartë se ne jemi mbështetës të fortë të vlerave dhe deklarimeve për luftën efikase kundër korrupsionit.
Nëse ka indikacioni për korrupsion, duhet hetuar. Ato hetime duhet të merren shumë seriozisht”, deklaroi Richard Nephew, Koordinator global kundër korrupsionit në DASH.
Nephew duke folur për angazhimin konkret të konzorciumit ndërkombëtar Bechtel&Enka tha se ligjet amerikane janë të qarta dhe ato duhet t’i dijë çdo biznes brenda apo jashtë SHBA-ve.
“Kemi ligje të forta dhe konkrete për kompanitë amerikane dhe gatishmërinë e tyre për përfshirje në aktivitete jashtë SHBA-ve. Poziciononi jonë është i qartë dhe i drejtpërdrejt, qoftë në aspektin e kornizës ligjore qoftë në aspektin politik”, tha Richard Nephew, Koordinator global kundër korrupsionit në DASH.
Nephew duke folur për qëllimin e vizitës së tij në Shkup tha se administrata amerikane posedon projekte të mjaftueshme që kanë për qëllim mbështetjen e punës së organeve gjyqësore, rritjen e besimit dhe zgjerimin e kapaciteteve për punë. /Alsat.mk