Lajme

Asociacionet e asociacionit

March 4, 2023, 04:03

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI

 Java që shkoi kaloi nën debatin e ngritur për temën e Asociacionit të Komunave Shqiptare. Që nga komentet infantile (“pse na barazoni me serbët që janë 4%”), te ato patetike të BDI-së (“Marrëveshja e Ohrit e ka mbyll kornizën e të drejtave etnike”), ato frustruese të ASH-së (“ju përzunë nga qeveria dhe jeni idhnu”), e deri te ato në panik të LSDM-së, VMRO-së e të Levicës (“u zgjua radikalizmi shqiptar”), përfshirë edhe ndonjë deputet parashutist shqiptar, që injorancën e vetëbesimin e ka në proporcion të drejtë, vërtet pati pak kthejlltësi për ta menduar këtë temë. Prandaj, me përjashtime që meritojnë respekt, si analiza e diplomatit Arsim Zekolli, opinioni te ne u mbërthye nga ideja e refuzimit gati pa e lexuar mirë atë.

Dhe, vetëm pasi që e panë se janë në vijën e njëjtë të interpretimeve serbe të mediave të Vuçiqit, kritikuesit heshtën, ndërsa mediat kryesore shqiptare te ne nuk denjuan as të organizojnë debate mbi këtë temë, mbase edhe për arsye se ata që u turrën të sulmojnë, vendosën “të mbrohen me heshtje”.

E tash, kur pluhuri ka rënë pak, po i hy ta shpjegoj në dy-tri pika se si u bë që kur thashë se “mbreti është lakuriq”, të cilin të gjithë po e shihnin pa tesha në trup por kishin drojë t’ia thoshin, në vend që ta komentonin lakuriqësinë e mbretit, u morën me autorin e fjalisë dhe kohën kur u tha kjo fjali e pritur nga të gjithë përballë “mbretit lakuriq”.

Time-ingu

Argumenti i parë i kritikuesve ishte se “pse në këtë kohë?”, “pse nuk e thatë derisa ishit në qeveri?” e gjepura të këtilla, që ndonjëherë janë retorikë e mirë politike, por që janë patetike në debate për tema kaq serioze. Përveçse në qeveri kishim agjendë tjetër dhe rezultate për të cilat kemi folur në publik, më brengosës është ideja se “pse tash flisni për këto tema dhe na e prishni idilën qeveritare?”. Thuajse ka ndonjë orar kur lejohet e kur nuk lejohet ta shprehë njeriu shqiptar se si ndjehet më mirë. Ose, nga inferioriteti historik, mendojnë se gjithnjë duhet ta pyesin “matiçarin” se kur është koha më e përshtatshme për të kërkuar diçka. Në vend se të gjykojnë si qenie e lirë se “unë e marr atë që më takon dhe e realizoj vetë atë në të cilën ndjehem më mirë”.

Kjo ma kujtoi kohën e fillimit të viteve të ’90-ta kur disa mendjendritur në Partinë e Prosperitetit Demokratik, që e panë se me Gligorovin nuk mund të hapnin asnjë paralele shqipe e le të bëjnë diçka më shumë, andaj e ngritën idenë e autonomisë shqiptare, aty ishin gligorovistët shqiptarë që “të argumentonin” se “pse bash tash e kërkoni këtë kur sapo jemi në rrugë të mbarë të hapim edhe një paralele shqipe në Shkup?” e deri te deklaratat e ish zyrtarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, që brenda natës u bënë “demokratë të prosperuar”, se “është anakronike të kërkojmë autonomi, sepse ne duhet të jemi shtetformues”. Për fat të keq, nipat e Gligovorit edhe sot vazhdojnë t’ua shkruajnë kumtesat partive politike shqiptare, madje edhe disa shkrimtarëve e opinionistëve të tjerë.

Tre leximet e Asocacionit

Sidoqoftë, derisa BDI-ja të gjejë spin-doktorë për ta shpëtuar veten nga kjo temë, derisa ASH-së t’i kalojë muaji i mjaltit qeveritar, më duhet të shpjegoj se kjo temë i ka tre lexime, të cilat po i prezantoj këtu më poshtë.

Leximi i parë e ka lakuriqësuar kërkesën serbe (dhe, mbase, dakordimin ndërkombëtar) për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Nuk është se ka nevojë dikush të ma shpjegojë se Kosova është shtet sui generis, se si është ndërtuar shteti i saj, se çfarë është Rezoluta 1244, Marrëveshja e Kumanovës, Plani i Ahtrisarit etj., por ky ishte mesazh për Serbinë, para së gjithash, se nëse ajo po e mban të paralizuar Bosnjën përmes Republika Srpska-s, po e mban Malin e Zi të paralizuar përmes Kishës Ortodokse dhe tash kërkon ta paralizojë edhe Kosovën përmes Asociacionit të Komunave Serbe, shqiptarët në Ballkanin Perëndimor – që janë mbështetur për muri – nuk do të rrinë duarkryq. Nëse ajo insiston për Asociacion etnik serb në Kosovë, shqiptarët do të kërkojnë Asociacion të tillë edhe në Serbi, por pse jo edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kështu u ka shkuar “selami” edhe ndërkombëtarëve se “nëse në një shtet pastër qytetar, siç është Kosova, lejohet njësi monoetnike serbe, kjo do të ketë efekt domino”. Opinioni e di se as unë e as partia ime nuk mund ta bëjmë realisht atë Asociacion, porse nëse lejohet precedenti në Kosovë, kjo nuk di a do të përfundojë atje.

E përveç për ndërkombëtarët, ky ishte “selam” edhe për Qeverinë e RMV-së që të deklarohet për Asociacionin Serb në Kosovë e të mos rrijë “indiferente”. Ministri i Jashtëm i RMV-së dhe kryeministri, por pse jo edhe këta pjesëmarrësit e tjerë në qeveri, duhet ta thonë në mënyrë koncize se “a janë për Asociacioni të Komunave Serbe në Kosovë?”. Ata mund ta bëjnë indiferentin dhe të shurdhëtin, por heshtja para problemit nuk e anulon problemin.

Leximi i dytë kishte të bëjë me partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Mesazhi për VMRO-DPMNE-në, që vetëm para disa ditësh kërkoi “qeveri pa shqiptarë”, ishte se nuk guxon të përmenden më slogane të kohës së Gruevskit. Sepse, kush dëshiron qeveri pa shqiptarë, mund të gjejë Asociacion të Komunave Shqiptare pa maqedonas. Prandaj, kujdes!

Ndërkaq mesazhi për LSDM-në ishte se pas asaj që ia bëri Alternativës, duke e përjashtuar nga qeveria për ta shpëtuar karrierën e Artan Grubit, kjo edhe pas shërbimit të madh që ia bëri Alternativa vendit (me stabilizimin e qeverisë për hapjen e negociatave më 2022), duke e paguar këtë me popullaritetin e saj, shqiptarët po mbështeten për muri.

Nëse VMRO-ja dëshiron qeveri pa shqiptarë, ndërsa LSDM-ja i konsideron partitë shqiptare anije për ta kaluar lumin dhe pastaj t’i hedhë velat, duhet ta dinë se shqiptarët ngadalë do e humbin besimin në partneritetet e mundshme me partitë maqedonase dhe mund ta shohin hesapin e tyre. Nëse humb mirëbesimi, secili më e shikon punën e tij. E nëse këto parti vazhdojnë ta përmendin integrimin, mesazhi i propozimit tim ishte se ne u dëshmuam për integrim kur duhej të dëshmojmë, ndërsa kur ju u deshët të dëshmoni për integrim, u dëshmuat se jeni për dezintegrim. Prandaj, për hajr ju qoftë ky precedent me të cilin më së shumti e keni dëmtuar veten dhe shtetin.

Leximi i tretë ka të bëjë drejtpërdrejt me temën e decentralizimit. Nëse Kushtetuta dhe Ligji për vetëqeverisje lokale nuk e ndalon krijimin e bashkësive të komunave mbi çfarëdo baze të interesit të tyre lokal, ndërsa komunat shqiptare – në mungesë të decentralizimit të mirëfilltë janë të paralizuara – detyrimisht vjen tema e një bashkësie të komunave shqiptare. Siç e dimë, në RMV, edhe 20 vjet pas ndarjes së fundit territoriale, akoma nuk funksionon decentralizimi fiskal. Prandaj, së pari, kjo temë asoconte në ndarjen e padrejtë që u është bërë disa komunave shqiptare, si Likova, Studeniçani, Çairi, Çashka, Struga etj., që janë sakatuar dhe janë lënë pa asnjë resurs zhvillimor, ndërsa pjesa tjetër asoconte kryesisht në qëndrueshmërinë e vetë komunave. Kështu, përkundër asaj se praktika europiane rekomandon që pushteti të jetë sa më afër qytetarit dhe njësitë e pushtetit lokal të menaxhojnë me financat publike, te ne edhe 20 vjet pas miratimit të ligjit të ri për ndarjen territoriale shumë komuna ballafaqohen me borxhe dhe llogari bankare të bllokuara për shkak se nuk arrijnë të mbijetojnë. Maqedonia e Veriut është vendi më i centralizuar në Europë me vetëm 4.8% të PBV-së të të ardhurave lokale. Sa për krahasim, në Danimarkë kjo është 36.4%, në Poloni – 13.1%, në Suedi – 25.3% e kështu me radhë. Edhe kur flasim për raportin e të ardhurave lokale dhe të ardhurave të përgjithshme publike, në Maqedoni të Veriut kemi përsëri centralizim të tmerrshëm. Le që jemi larg Danimarkës me 63%, me Poloninë 31%, me Suedinë 47%, por edhe në rajonin tonë Maqedonia e Veriut është fundit. Kështu, të ardhurat e përgjithshme të komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë 4.8% e BPV-së, që është më pak se në Serbi me 6,3%, në Kosovë me 6,8%, në Mal të Zi me 6,0%, në Rumani me 8,6%, në Bullgari me 6,6%, si dhe shumë nën mesataren e BE-së prej 10,7%. Ndërkaq, në fushën e investimeve kapitale në nivel të rajoneve, shifrat janë alarmante: derisa në rajonin e Juglindor për kokë banori ndahen 1.693 denarë dhe në rajonin e Vardarit ndahen 1,947 denarë (të dyja rajone këto me shumicë maqedonase), në rajonin me shumicë shqiptare të Pollogut ndahen 1.032 den për kokë banori, ndërsa kur këtë e kthejmë në diskriminimin midis komunave shqiptare, një qytetari që jeton në komunën e Qendrës (në Shkup) i bie t’i ndahen 5.309 denarë, ndërsa një qytetari të komunës shqiptare të Haraçinës i bie t’i ndahen 85 den., që është për 60 herë më pak.

Mungesa e decentralizimit, mungesa e investimeve kapitale në komunat shqiptare, moszbatimi i Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal dhe diskriminimi etnik ndaj komunave shqiptare, është arsyeja që kemi komuna shqiptare që nuk kanë as ekip të zjarrfikësve, as ekip të ndihmës së shpejtë, që nuk kanë para as për disa metra asfalt, as për ujësjellës e kanalizim, e as për shkolla me standarde bashkëkohore. E derisa kemi një gjendje të tillë, një asociacion siç e kam propozuar, do të ndihmonte që komunat shqiptare të krijojnë një buxhet të përbashkët në kuadër të asociacionit dhe kështu të ndihmohen mes vete në ngritjen e cilësisë dhe standardit të jetesës së qytetarëve.

Dhe, të shpjegojmë edhe njëherë, ky asociacion i mbështetur në këtë ide, nuk nënkupton detyrimisht dhe domosdoshmërisht edhe lidhje fizike e gjeografike mes komunave shqiptare. Fjala bie, Komuna e Zhelinës mund të krijojë një Asociacion të Komunave Shqiptare me Komunën e Çairit, të Likovës dhe të Strugës, kjo sipas shembullit të BNJVL-së, duke realizuar projekte të përbashkëta për infrastrukturën e tyre lokale. Mund edhe ta quajnë ndryshe nëse duan dhe nëse nuk u pëlqen ky emër, por me rëndësi është të prodhojnë mirëqenie për qytetarët e tyre.

Edhe diçka, sepse injoranca e kritikuesve të shtyn ndonjëherë të shpjegosh edhe gjëra të nënkuptueshme. Asociacioni i Komunave Shqiptare në RMV nuk është substituim ose zëvendësim i të drejtave të tjera që i kanë shqiptarët në këtë shtet, por është plotësim dhe avancim i tyre.

Po e përfundoj këtë shkrim duke thënë se ata që e lexojnë këtë ide, më mirë është të merren me përmbajtjen dhe asociacionet e Asociacionit të saj sesa me autorin e saj dhe me kohën kur jepet kjo ide. Sepse, duke u marrë me përmbajtjen edhe mund ta kuptojnë edhe mund të reflektojnë, ndërsa duke u marrë me autorin, atij i bëjnë vetëm shërbim medial, por problemi u mbetet te dera.

Tetova1 në Youtube

Mos e humb

IMG_1740
Ronaldo e mposht Messin “Pa balotazh”
IMG_1715
Trajneri i Serbisë e vlerëson lart Xhakën: Është një lojtar i madh
IMG_1466
Shkëndija ankohet për duelin me Sileksin, pyet publikisht çfarë ka Stavrevi kundër tyre?
IMG_1455
Jasir Asani sërish i siguron fitoren e skuadrës së tij
IMG_1267
Lajm tragjik në Gostivar: Fëmija 6 vjeçar sëmuret gjatë stërvitjes së futbollit dhe ndërron jetë

Më shumë nga kategoria

IMG_1455
Jasir Asani sërish i siguron fitoren e skuadrës së tij
IMG_1267
Lajm tragjik në Gostivar: Fëmija 6 vjeçar sëmuret gjatë stërvitjes së futbollit dhe ndërron jetë
IMG_0860
Albina Drazhi, argjend në mundje: Synoj medalje në Europian dhe Botëror
IMG_0812
Jasir Asani vazhdon me gola në Champions League, shënon një tjetër gol për Gwangju FC
IMG_0606
Shkëndija e “shkel” Vardarin, fiton 4-0
IMG_0576
Luani, krenar me Ardianin – hyri në ring dhe e përqafoi
wqfqfwqfwq
Bashkëpunimi i FSHF-së me Serbinë, reagojnë Dardanët: Turpi do të jetojë përjetë, Kosova nuk do ta falë
Balotelli-derby-della-madonina-780x439-1
Balotelli parashikon rezultatin e Derby della Madonnina
IMG_1826
A e dini cila është Macedonia amerikane dhe ku gjendet ajo?
policia-mk-stop-780x439-1-696x392
Dy persona gjendet të vdekur në Sllatinë të Tetovës
IMG_1817
Dita e premte ditë jopune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut
IMG_1781
1 mijë euro bonus për të papunët në Gjermani
IMG_1780
Bilalli-Zendeli: Thaçi do të veprojë si opozitë, do të vazhdojë të konsultohet me Ali Ahmetin
IMG_1772
Venera Latifi Azizi femra e parë shqiptare zëdhënëse e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

DIASPORA