Dhjetëra kafshë të mbytura nga qentë endacakë në fshatin Përshevcë të komunës së Tearcës. Mbrëmjen e kaluar qentë endacakë u futën në brendi të dy fermave, njëra prej të cilave ndodhet në mes të fshatit.
“Kemi pas dëm llogarite shtatë dele të mëdha dhe dy desh tash para dhjetë ditësh, pra nëntë copa kanë shkuar huq i kanë mbyt”, tha Zuli Jakupi blegtor.
“Ky nuk është rasti i parë dhe që ka ndodhur vetëm tek unë, komshiut dy desh ia masakruan ia hëngrën, te tjetri një viç. Ka tre muaj që kemi gjithnjë sulme prej qenve endacakë, por askush nuk merr masa, as institucionet e shtetit as komuna askush, edhe pse i kanë ditur këto raste. Nuk di më kujt ti drejtohemi, u shpreh Xhelal Abduli Blegtor.
“Mua viçin ma kanë sulmuar natën tek shtëpia, unë jam në zonë të banuar. Më lajmëroi komshiu në ora tre të mëngjesit se ka zhurmë shumë, po kur dolën në tre e gjysmë në mëngjes e kishin mbyt viçin. Çdo natë kur dal tek oborri shtëpisë në nëntë apo dhjetë gjithnjë kam qen tek shtëpia, më shumë se dhjetë pesëmbëdhjetë copë qen”, deklaroi Baki Zeqiri, Blegtor.
Kërkuam sqarim edhe nga komuna e Tearcës për masat eventuale për situatën e krijuar, por përgjigje nuk morëm. /alsat.mk