Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) ka marrë vendime për punësimin e punëtorëve në njësinë projektuese për realizimin dhe ndërtimin e projektit infrastrukturor të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, konform me njoftimin 1/2023 të publikuar më 13 prill i cili kërkonte angazhimin e punëtorëve në më shumë pozita në ndërtimtari, punonjës administrativ dhe shoferë.
Kështu, është marrë vendim për zgjedhjen e Semial Hasani Ziberi në pozitën e ndihmëses së koordinatorit kryesor dhe përgjegjës të projektit, për të cilën është paraparë pagë prej 70.052 denarë.
Për vendin e koordinatorit të njësisë për performancë teknike të projektit, për të cilin është paraparë pagë prej 65.029 denarë, do të angazhohet Rami Jusufi. Janë të punësuar dy nga katër specialistë të planifikuar për shpronësimin e pronave të paraparë me konkursin.
Është angazhuar edhe një përkthyes dhe në vend të dyve është bërë përzgjedhje e një specialisti për ndjekjen dhe përgatitjen e dokumentacionit të projektit, një punonjës administrativ dhe një shofer. Nuk është bërë përzgjedhje për pozitën e raportuesit të projektit, specialistit për investime dhe ndërtimit të rrugëve dhe specialistit për dokumentacionin urbanistik.