Dy persona janë arrestuar lidhur me incidentin e së shtunës mbrëmë në lagjen Butel të Shkupit, ku në mesin e personave të sulmuar në një përleshje fizike ishte edhe një pjesëtar i policisë.
Lajmi është komunikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili tha se përpos dy të arrestuarëve, tre persona të tjerë janë në kërkim.
“Bëhet fjalë për një sulm ndaj disa personave, njëri prej tyre është polic. Dy persona janë privuar nga liria. Persona të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes me makinën tjetër”, ka thënë Spasovski.
Ai sqaroi se sipas klasifikimit bëhet fjalë për dhunë. “Pres që gjatë ditës të përfundojnë të gjitha aktivitetet për zbardhjen e gjithë këtij rasti dhe të lënduarit të shërohen. Është e rëndësishme që ata persona të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi”, theksoi ministri Spasovski. (INA)