Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje, në të kundërtën të ballafaqohen me pasoja, për çka ka thënë se do të ishte e dhimbshme për të gjithë.
Ka shtuar se shpreson te një konferencë e nivelit të lartë, ku të dyja palët ftohen dhe nuk lihen të dalin nga takimi pa arritur një marrëveshje.
Ai në konferencë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, e ka falënderuar atë që bashkë kanë ndarë shqetësimet dhe dëshmitë se shtetet e anëtare të BE-së po humbin durimin lidhur me situatën në Kosovë.
“Gjithashtu ishte shumë ndihmuese që ne ndamë opinionet për diçka që është shumë shqetësuese dhe ka të bëjë me stabilitetin e gjithë rajonit dhe progresit rajonal. Ne jemi rajon që kemi vuajtur shumë në të kaluarën. Ne nuk mund të shikojmë vetëm shtëpinë tonë dhe detyrat tona pa u shqetësuar se çfarë po ndodhë përreth dhe efektet që mund të shkaktohen. Faleminderit që ndatë me ne më shumë dëshmi për humbjen e durimit të shteteve perëndimore dhe rritjen e shqetësimeve. Palët nuk duhet të lihen pa arritur një marrëveshje, në të kundërtën të ballafaqohen me pasoja. Jam i kënaqur që janë liruar tre policët dhe tash është koha për shtensionim”, ka thënë ai.
Në pak minuta ka folur edhe për situatën në Shqipëri, duke deklaruar se janë “inkurajuese fjalët e mira për Shqipërinë dhe progresin në reforma”.
“Ne do të vazhdojmë dhe jemi të bindur që do të jemi të gatshëm për hapin e radhës”, ka thënë ai.