Në kuadër të Konferencës për shënimin e 30 –vjetorit të themelimit të Komisariatit të Lartë për Pakica Kombëtare, që u mbajt të premten (7 korrik), në Vjenë të Austrisë, Universiteti i Evropës Juglindore ishte rrëfimi i suksesit të këtij institucioni.
Në këtë konferencë, rrugëtimin e UEJL-it gjatë këtyre viteve dhe suksesin si institucion i iniciuar nga Komisari i Lartë për Pakica Kombëtare, Maks van der Shtul, e prezantoi Rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili ishte panelistë kryesor në panelin me temë: Ndërtimi i kohezionit afatgjatë social: përvoja në integrim, reflektime kritike dhe perspektiva të reja për rajonin
“Faleminderit që e vendosët Universitetin e Evropës Juglindore në mesin e institucioneve të shquara që janë sot këtu dhe ju falënderoj për këtë mundësi për të ndarë disa mendime, për të shikuar prapa në historinë tonë dhe më e rëndësishmja, për të parë përpara në të ardhmen që po ndërtojmë së bashku”, tha Rektori Bexheti.
Në hapjen e konferencës, fjalime mbajtën: ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit, Sekretarja gjenerale e OSBE-së, Helga Maria Shmid, Komisari aktual për Pakica Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov, si dhe në rolin e folësit kryesor ishte Miroslav Lajčák, përfaqësues special i BE-së në dialogun Prishtinë – Beograd dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca u organizua nga Komisariati i Lartë për Pakica Kombëtare dhe Delegacioni i Përhershëm i Maqedonisë së Veriut në OSBE