Lajme

Dr. Omer Xhemali duhet të nxjerrë kardiokirurgjinë e Cyrihut nga kriza 20 vjeçare

Autori

Autori

Portali Tetova

May 8, 2023, 08:05

Pak muaj më parë, Prof. Dr. Omer Xhemali është zgjedhur në postin e drejtorit të Kardiokirurgjisë së unifikuar të Cyrihut, qendrës më të madhe të kirurgjisë së zemrës në Zvicër dhe njërës ndër më të mëdhatë në Evropë. Tani, kur kanë kaluar “muajt kritikë” ose 100 ditët “e heshtjes”, mjeku i shquar, i lindur në fshatin Tearcë të Tetovës ka pranuar të japë një intervistë zë zgjeruar për gazetën prestigjoze zvicerane NZZ.

“Dikur kishte ikur nga lufta dhe ia doli mbanë përmes punëve të herëpashershme. Tani është drejtor i klinikës. Një takim me njeriun që supozohet të ketë sukses në atë që askush nuk ka arritur të bëjë në 20 vitet e fundit”, shkruan gazeta, duke ju referuar krizës në të cilën klinika dikur me renome, është duke kaluar nga viti 2004 e këndej, transmeton albinfo.ch.

“Spitali Universitar i Cyrihut ka bërë një bast të guximshëm. Më 1 dhjetor 2022, ai plotësoi postin kryesor të departamentit të kirurgjisë së zemrës, departament shumë i njohur dhe prej kohësh i përfshirë nga kriza. Dhe, drejtuesit e spitalit nuk sollën për këtë ndonjë kirurg yll të njohur ndërkombëtarisht, por kryemjekun e spitalit Triemli në Cyrih: Omer Xhemali, përcjell albinfo.ch.

Kritikave të ashpra u përgjigjet me punë

Edhe para se Xhemali të merrte detyrën, mediat e kishin kritikuar ashpër atë. Kështu, platforma online “Inside Paradeplatz” e ka denigruar atë duke e etiketuar si një “posterboy” shqiptar dhe e ka quajtur “një pjatalarës mes perëndive me të bardha”. Ndërsa gazetat e shtëpisë Tamedia i kanë mohuar atij përshtatshmërinë akademike.

Kardiokirurgu i sulmuar nuk ka komentuar asnjëherë personalisht akuzat dhe me dashamirësi ka refuzuar kërkesat për intervistë nga kjo gazetë: Para së gjithash, ai donte të punonte në qetësi, të bënte diçka. Pas 100 ditësh të kaluara në detyrë, ai tashmë është gati të takojë NZZ-në për një intervistë, të shoqërohet në spital dhe të japë informacione për të kaluarën e tij, transmeton albinfo.ch. Xhemali thotë: “Jam i sigurt që jam personi i duhur në vendin e duhur. Dhe unë do të përpiqem ta vërtetoj këtë”.

E, që ta vërtetojë këtë, ai duhet të bëjë atë që askush nuk ka arritur të bëjë në njëzet vitet e fundit: të udhëheqë klinikën e kardiokirurgjisë në një të ardhme që lidhet me kohët e lavdishme të së kaluarës – kur spitali universitar ishte një sensacion ndërkombëtar me drejtorë klinikash si pionieri i stimuluesit kardiak Åke Senning etj.

Por, që nga viti 2004, ndryshimet e vazhdueshme në menaxhim dhe titujt negativë në media kanë qenë në rend të ditës. Kujtoni këtu transplantin e dështuar të zemrës në një pacient ose largimin e palavdishëm të bosit Francesco Maisano, i cili, veç tjerash ishte zbuluar se zbukuronte raportet shkencore etj. Xhemali tani jo vetëm që ka për detyrë të çojë sërish përpara klinikën universitare, por edhe të bashkojë kardiokirurgjinë me atë të qytetit, Triemlispital.

Por kush është njeriu nga i cili pritet t’i kthejë lavdinë e mëparshme kirurgjisë së zemrës në Cyrih? Dhe a mund ta bëjë ai vërtet këtë?

Pas kësaj pyetjeje retorike, gazeta shpalos rrëfimet e dr. Xhemalit nga fëmijëria në fshatin afër Tetovës, punët bujqësore, mësimet e gjyshit, i cili e stimulonte për të mbjellë fasulen e njohur të Tetovës etj.

Stimulimi nga gjyshi, kushtëzimi i blerjes së biçikletës nga babai…

Ndërsa duket edhe më interesante mënyra se si babai i tij, mësues, ia kishte kushtëzuar blerjen e një biçiklete Omerit të vogël: “Omer, nëse dëshiron të kesh një biçikletë, duhet së pari të lexosh 100 libra për fëmijë dhe të më vërtetosh se i ke lexuar ato me të vërtetë”. Djali i vogël i përvishet punës, shënon titujt që ka lexuar. Kalon një vit me 100 libra të lexuar dhe ai fiton biçikletën që dëshironte, përcjell albinfo.ch. “Sigurisht, ishte e vështirë”, thotë Xhemali sot, “por mendoj se ishte mirë që më duhej të merrja përgjegjësi që herët dhe të isha i pavarur”.

Kur ishte nëntë vjeç, gjyshja e tij e dashur vdiq nga sulmi në zemër. Një tronditje që dogji thellë dhe i mbolli idenë për t’u bërë mjek. Dhe kështu, disa vite më vonë, ai vendos të shkojë në gjimnazin për t’u përgatitur për një karrierë në mjekësi. Ai shkon në shkollë në mëngjes dhe bën praktikë në infermieri, pasditeve.

Në vitin 1990 ai u regjistrua për të studiuar mjekësi në Sarajevë. Por dy vjet më vonë, në vend shpërthen lufta civile… “Ne po qëndronim përballë hotelot “Holiday Inn” famëkeq, ku ishin vendosur snajperët. Vranë edhe studentë, shokët e mi”, e thotë ai këtë pothuajse duke pëshpëritur.

Në pranverën e vitit 1992 ai hip në një aeroplan me destinacion Düsseldorfin, transmeton albinfo.ch. Është një nga fluturimet e fundit të planifikuara për t’u larguar nga Sarajeva përpara se trupat serbe të marrin kontrollin e aeroportit.

Në Gjermani, punon në ndërtim, në restorante dhe studion

Në Gjermani ai jeton me një dajë, punon në ndërtim dhe në restorante. Në të njëjtën kohë, aplikon në 32 universitete si student i mjekësisë. Ai pranohet në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz – dhe kështu i zgjatet edhe viza e qëndrimit. Por dy vitet e tij të mbaruara në Sarajevë nuk do t`i llogariteshin… Por ai e sheh këtë si avantazh: Për shkak se tashmë e zotëronte mirë materialin, ai ka më shumë kohë për të mësuar më mirë gjermanishten. Në të njëjtën kohë Omeri duhet të vazhdojë të punojë, ka nevojë për para për studimet dhe jetën e tij, përcjell albinfo.ch. Kështu, ai mban turnet e natës si infermier, ndonjëherë duke punuar edhe ilegalisht, për t’ia dalë mbanë.

Por karriera e tij mjekësore fillon pikërisht në momentin kur ai mendon se gjithçka ka humbur. Pas një testi të anatomisë orale, profesori e thërret atë në zyrë, duke ja caktuar takimin për të nesërmen. Ai kalon një natë pa gjumë, i sigurt se është zbardhur rasti i punës së tij në të zezë. “Gjithçka që kam ndërtuar do të ishte shkatërruar me një goditje.” Të nesërmen në mëngjes, ndodh befasia. Profesori i flet për anatominë, e pyet se si bëhet që ai e njeh kaq mirë. Xhemali i thotë se ai e ka studiuar lëndën në Sarajevë dhe pastaj shpërthen: “Profesor, më duhet të punoj në të zezë. çfare duhet të bej?” Profesori e shikon me habi: “Nuk po të merr në pyetje policia këtu, je në kampus universitar”. “Po pse më thirre në zyrë?” “Sepse isha i lumtur që dole kaq mirë në provim. A e keni marrë tashmë tezën e doktoraturës?” “Jo.” “E pra, tani e keni tezën!”

Profesori e punëson gjithashtu si asistent dhe i mundëson të punojë në projekte kërkimore.

Pasi stabilizohet dhe bëhet mjek kryesor në kardiokirurgji, në Frankfurt, në vitin 2009 sheh që në Spitalin Triemli të Cyrihut shpallet një pozicion si zëvendëskryemjek për kirurgjinë e zemrës. “Isha ambicioz dhe kjo ishte një mundësi për të ecur përpara”. Ai merr vendin e punës dhe promovohet në kryemjek në 2018.

Aleanca e zemrës

Ndërkohë Xhemalin po e ndiqte një reputacion si një kirurg i shkëlqyer. Mjekët po i drejtonin gjithnjë e më shumë pacientët e zemrës në spitalin e qytetit të Cyrihut, Triemli. Vetëm në vitin 2021, klinika ja doli të rrisë numrin e rasteve me 18 për qind. Spitali universitar shpreson për sukses dhe emëron Xhemalin drejtor të klinikës së kardiokirurgjisë. Përveç kësaj, ai ngarkohet me zgjerimin e “Aleancës së zemrës” të dy spitaleve dhe tani po drejton të dyja spitalet kardiokirurgjike.

Por, lëvizja në spitalin universitar e katapulton Xhemalin e qetë në dritën e projektorëve. Papritur gazetarët janë të interesuar për të – dhe shkruajnë pak gjëra të mira. Gazetat Tamedia raportojnë se Xhemali u vendos në krye të kardiokirurgjisë “në procedurë të shpejtuar”. Sipas tyre, kjo procedurë “ka shkaktuar tundje koke në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, midis specialistëve të zemrës dhe qarqeve universitare”. Këta ekspertë nuk përmenden në artikull, por tregohet se Xhemali “nuk ishte në gjendje të mbante hapin akademik” në mesin e konkurrentëve sepse kishte bërë më pak kërkime. Përveç kësaj, edhe pse konsiderohet një kirurg shumë i mirë, ai ka pak përvojë me transplantet e zemrës.

Ndërsa toni në blogun “Inside Paradeplatz” është edhe më i ashpër. Sipas tij, Xhemali nuk ka bagazh akademik mbresëlënës, diploma e tij mjekësore vjen nga një universitet pak i njohur. Por autori sulmon ehde “nën brez”, duke shkruar për “makinat e shtrenjta, se gjoja me paratë e tij krekoseshin edhe fëmijët e Xhemalit në rrjetet sociale. Kufiri u kalua kur i bënë dhe familjen objekt të çështjes.

“Fëmijët e mi sigurisht që nuk krekosen, nuk i kemi rritur kështu”. Ai kundërshton me shembuj kritikat e gazetave Tamedia. Kështu, operacioni i tij i parë në spitalin universitar ishte një transplant zemre dhe gjashtë transplante të tjera u shtuan në javët në vijim. Të shtatë pacientët janë mirë dhe janë në rehabilitim. “Mënyra më e mirë për t’i mbyllur gojën kritikët është suksesi në punë”, thotë Xhemali.

Sukseset e para

Xhemali ka sukseset e para për të dëshmuar këtë. Ai tashmë ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve të trajtuara në spitalin universitar. Rritja ishte rreth një e treta, ndërsa në të njëjtën kohë numri i rasteve në Triemli ka mbetur stabil, tregon me krenari Xhemali.

Në “Aleancën e zemrës” po zhvillohen 1600 deri në 2000 ndërhyrje në vit. “Kjo na bën deri tani qendrën dukshëm më të madhe kardiokirurgjike në Zvicër dhe me peshë në të gjithë Evropën”, transmeton albinfo.ch. Ky është një triumf i parë për njeriun që e nisi garën me fare pak lëvdata paraprake. Por do të shihet vetëm pas pak vitesh nëse ai do të ketë sukses të shkrijë dy kompanitë dhe të ndalojë përfundimisht përbaltjen. Do të ishte ky një triumf i punës këmbëngulëse të mjekut të zellshëm ndaj mejkëve me kult yjesh”, përfundon gazeta.

Tetova1 në Youtube

Mos e humb

IMG_2234
Zyrtare: Berat Imeri, trajner i ri i Besës së Dobërdollit
IMG_2093
Maqedonia kërkon të vazhdojë tradita dhe të arkëtojë pikë të reja ndaj Letonisë
IMG_2045
Gruda: Gjermaninë e zgjodha me zemër edhe pse prindërit i kam shqiptarë
IMG_1939
Kthehen ndeshjet e Ligës së Kombeve, Maqedonia në Riga kërkon fitore ndaj Letonisë
IMG_1851
Nga Dizhoni i Çairit në Kombëtaren Shqiptare, Feta Fetai ose “Modriç” i ri thirret nga Silvinjo

Më shumë nga kategoria

IMG_1939
Kthehen ndeshjet e Ligës së Kombeve, Maqedonia në Riga kërkon fitore ndaj Letonisë
IMG_1851
Nga Dizhoni i Çairit në Kombëtaren Shqiptare, Feta Fetai ose “Modriç” i ri thirret nga Silvinjo
IMG_1740
Ronaldo e mposht Messin “Pa balotazh”
IMG_1715
Trajneri i Serbisë e vlerëson lart Xhakën: Është një lojtar i madh
AAA-BDI-ASH
BDI-së, AAA dhe ASh “fajtorë” për shfuqizimin e balancuesit? (video)
rama-erdogan
Analisti nga Kosova: Erdogani miliarda investime në Serbi, e shqiptarëve po u ndërton xhami
Bajram Rexhepi
Mickoski kërkoi të pastrohet krimi në BDI, Rexhepi: Shumë lajm i mirë, e mira me të mirë kthehet, edhe ne do t’ia kthejmë me të mirë, por do të kemi më shumë punë
IMG_2242
Erdogan: Marrëdhëniet me Serbinë, të shkëlqyera
IMG_2237
Mexhiti: VLEN-i është shumë më kompakt se BDI-ja
IMG_2234
Zyrtare: Berat Imeri, trajner i ri i Besës së Dobërdollit

DIASPORA