I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të takohet të hënën në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Mediumi serb “Danas” raportoi se takimi do të nisë në orën 14:30, e temë kryesore do të jetë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet të nënshkruhet mes palëve më 18 mars.
Takimi i Lajçakut me presidentin e Serbisë ndodh disa ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak ka deklaruar në Kosovë se palët duhet të pajtohen edhe për aneksin e marrëveshjes, që sipas tij, çon drejt normalizimit të marrëdhënieve.
I dërguari i BE-së do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën (15 mars).