Maqedonisë I mungojnë rreth 8,000 infermierë. Kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe statusi i pazgjidhur ligjor ka sjellë në ikje të madhe të këtij kuadri shëndetësor. Pos largimit drejt vendeve të BE-së, një numër i infermierëve kanë lënë spitalet shtetërore për ato private për paga dhe kushte më të mira. Shoqata e infermierëve kërkon nga Qeveria që urgjentisht të merr masa.
“Rreth 170 infermiere afërsisht për këtë periudhë një vjeçare kanë ikur jashtë shtetit. Ndërkaq ikja në sektorin privat është alarmante. Më shumë se 200 infermiere kanë shkuar në spitalet private, rreth 80 infermiere kanë dalë në pension dhe këto janë numra alarmant për një vit.
Katër janë arsyet përse infermieret emigrojnë dhe janë të pakënaqura. 1 Janë të pa paguara, të pa pranuara, të pa respektuara dhe të pakënaqura nga statusi në shoqëri. Nuk njihen për nga shkollimi I tyre, as nga detyrat e punës, nuk paguhen në bazë të përgjegjësisë”, deklaroi Gordana Beshliovska, Shoqata e Infermiereve, akushereve dhe motrave të stomatologjisë.
Edhe infermieret e Stomatologjisë thanë se institucionet shëndetësore kanë mungesë të madhe të këtij kuadri.
“Ne jemi profil I cili në 2022 ishte gjenerata e fundit e diplomoi si infermiere në stomatologji dhe që atëherë mungesa është shumë e madhe si në shëndetësinë shtetërore ashtu dhe në private. Problem është dhe në vendet e punës, ku punësohen kuadër I pa përshtatshëm për atë vend pune dhe të cilin patjetër ne ta trajnojmë që të punojë. Kërkuam nga ministria e Arsimit që të mund të kthehet profili ynë në shkollat e mesme të mjekësisë dhe të mund të balancohet kjo mungesë e numrit të madh të infermiereve të stomatologjisë”, tha Hamide Latifi, Koordinatore e infermiereve për Stomatologji.
Kryeministri Kovaçevski edhe një herë përsëriti se Maqedonia nuk përballet me mungesë të kuadrit mjekësor, por bëhet fjalë për keq sistemimin e kuadrove mjekësore. /Alsat