Maqedoni

Sofja refuzon kërkesën e Shkupit për kërkim-falje për deportimin e hebrenjve

Autori

Autori

Tetovarja

April 29, 2023, 01:04

Autoritetet bullgare nuk pajtohen me qëndrimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, se Sofja duhet të kërkojë falje për deportimin e hebrenjve në vitin 1943 nga territori i Maqedonisë së atëhershme për në kampin shfarosës Treblinka në Poloni.

Sofja njeh faktin e dëbimit të hebrenjve nga territoret që ishin nën kontrollin e saj në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, por jo përgjegjësinë për të. Çdo vit në mars, ajo përkujton vetëm shpëtimin e hebrenjve, por jo edhe përgjegjësinë për dëbimin dhe vrasjen e mijëra të tjerëve në kampet e përqendrimit.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka marrë pjesë në manifestimin përkujtimor në Sofje për shpëtimin e hebrenjve bullgarë, por nuk ka nderuar kujtimin e të dëbuarve.

“Përpjekjet për të fajësuar janë një manifestim i mungesës së respektit për hebrenjtë e shpëtuar dhe për veprën morale të Bullgarisë së vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Radev, në fjalimin e tij, por pa hyrë në detaje lidhur deportimin e hebrenjve.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha të dielën se për të pasur pajtim duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste të Sofjes në atë kohë në deportimin e hebrenjve nga territori maqedonas.

“Drejtësi do të thotë të njohësh dhe emërtosh të vërtetën që ajo të respektohet nga të gjithë. Që të ketë pajtim, duhet kërkuar falje për rolin e qeverisë profashiste në atë kohë në Sofje në dëbimin e hebrenjve maqedonas”, tha Pendarovski, në manifestimin e mbajtur në Shkup kushtuar 80-vjetorit të dëbimit dhe vrasjes të hebrenjve.

Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, që në publik në disa raste ka demonstruar pretendime territoriale dhe gjuhë urrejtjeje me hartën e Bullgarisë së Madhe dhe me pikëpamjet se Maqedonia e Veriut është Bullgari, shkroi në rrjetet sociale se Pendarovski me këtë kërkesë ka treguar “arrogancë skandaloze antibullgare”.

Xhambaski shkroi se autoritetet në Shkup po përpiqen të mohojnë, sipas tij, meritën e padiskutueshme historike të kombit bullgar, i cili kundërshtoi Hitlerin dhe shpëtoi hebrenjtë në Bullgari.

“Të fajësosh vetëm Bullgarinë për deportimin e hebrenjve nga Maqedonia e Veriut para 80 vjetësh është joserioze”, tha Angel Dimitrov, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve, BTA, Dimitrov tha se një deklaratë e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e pasaktë, sipas tij.

“Të flasësh kështu për Bullgarinë është jashtëzakonisht e papranueshme, madje e pasaktë nga një politikan me përgjegjësi të madhe, qëllimi i të cilit duhet të jetë vendosja e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve tona”, u shpreh Dimitrov.
Ai tha se mbi 10.000 hebrenj me ndihmën e përfaqësive diplomatike bullgare në Evropë arritën të merrnin dokumente dhe përmes Bullgarisë të merrnin rrugën e shpëtimit.

“T’i atribuosh fajin Bullgarisë është joserioze, sepse deportimi u bë me urdhër dhe nën kontrollin e përfaqësuesve të Gjermanisë naziste”, deklaroi Dimitrov për agjencinë e lajmeve BTA.

“Atëherë nuk kishte shtet maqedonas, ata ishin qytetarë të Jugosllavisë. Dhe Jugosllavia jo vetëm që po dëbonte hebrenjtë e saj, por mburrej se ishte vendi i parë që zgjidhi çështjen hebraike. Në territorin e Serbisë ka kampe përqendrimi, në të cilat hebrenjtë vendas janë shfarosur në masë”, u shpreh Dimitrov./rel

Tetova1 në Youtube

Mos e humb

IMG_7143
Shorti, Shqipëria rigjen Anglinë dhe sfidon Serbinë pas 10 vitesh
erjon-morina
U lëndua rëndë në fushën e futbollit, ndërron jetë futbollisti kosovar Erjon Morina
IMG_6867
Arbitri shpërtheu në lot pas ndeshjes Lajpcig-Aston Villa
IMG_6863
Liga e Kampionëve vjen sot me nëntë ndeshje interesante – vëmendja në Dortmund dhe Torino
IMG_6774
Themelimi i Akademisë së Futbollit nga Klubi Beshiktash BJK në Gostivar

Më shumë nga kategoria

IMG_6863
Liga e Kampionëve vjen sot me nëntë ndeshje interesante – vëmendja në Dortmund dhe Torino
IMG_6774
Themelimi i Akademisë së Futbollit nga Klubi Beshiktash BJK në Gostivar
IMG_6742
Kupa: Struga Trim Lum sfidon Gostivarin, Shkëndija përball Detonitit
IMG_6557
Masar Omeragiq do të jetë kryetari i shtatë i FFM-së, i treti me karrierë të suksesshme futbollistike
IMG_4268
Shkëndija mund FC Shkupin në festën e madhe të “Ballistëve” dhe “Shvercerëve” në Tetovë
IMG_4197
Festa e 28 Nëntorit bashkon tifo grupet “Ballistët” dhe “Shvercerët” në Tetovë
IMG_4045
Festat e Nëntorit bashkojnë “Ballistët” dhe “Shvercerat” në Tetovë
AKSIDENT-696x465 (1)
Aksident tragjik në Strumicë, ky është tetovari që humbi jetën gjatë punimeve ndërtimore në këtë qytet
IMG_7240
LSM: Deri në fund të vitit punëdhënësit duhet ta paguajnë K-15
IMG_7212
Amir Elezi merr pjesë në panel diskutimin për ‘Demokracinë brendapartiake’
IMG_7208
Gjatë vikendeve do të ketë linjë të autobusit Tetovë-Kodra e Diellit, mësoni orarin dhe çmimin e biletës
policia-mk-stop-780x439-1-696x392
Shkoi për t’i dërguar ushqim babait të tij që po punonte, i riu nga Shkupi vdiq pasi ra nga objekti që po ndërtohet në Bit Pazar
IMG_7183
Saranda e “godet” Talatin: Mezi shkove në UÇK, bashkëshortja yte ka uluruar pse…